Përpos vendit të një rëndësie të padiskutueshme që zë, Sokrati shpërfaqet pa më të voglin dyshim si një nga figurat emblematikisht enigmatike të mbarë historisë së mendimit, ndërgjegjes dhe kulturës filozofike perëndimore, për të mos thënë i vetmi. Pavarësisht numrit të madh të monografive, të cilat në kohët tona sa vjen dhe po njohin një rritje mjaft të ndjeshme (Taylor, 2009), statuja e tij prej mendimtari dhe filozofi vijon ende të mbështillet nga një brerore misteri dhe një tisi enigmash shpeshherë të pazbërthyeshme, të cilët do të mbetet e këtillë mbase përjetësisht. Ndryshe nga tërë mendimtarët dhe filozofët pararendës, të kohës, apo pasrendës, Sokrati nuk u përpoq të shkruante në papirusë, por në shpirtin e bashkëbiseduesve, në mendjen, ndjeshmërinë dhe jetën e njerëzve të Athinës së kohës së tij, pavarësisht shtresës së tyre shoqërore, kulturore, politike apo etnike, duke bashkëndarë kësisoj shumëçka me Buddha-n dhe Krishtin. Të tre u përpoqën të shkruanin mbi të njëjtën lëndë, duke anashkaluar kësisoj librin, të cilin e vështronin si pengesë mes tyre dhe njeriut, jo si pengesë të tyre; sa për vete, të tre ishin të bindur se personaliteti i njeriut është shumë më tepër sesa libri, dhe po ashtu edhe mesazhi, idetë dhe të vërtetat që ky mëton të përcjellë. Ekuacioni paqësor që vërejmë në kohët tona mes librit, nga njëra anë, dhe personalitetit, mesazhit, ideve dhe të vërtetave të autorit, nga ana tjetër, për ta ishte diçka krejt e huaj. Për rrjedhojë, çdo sipërmarrje që boshtohet tek synimit për të nxjerrë në pah idetë dhe pamësitë e Sokratit, është e shtrënguar të përballet me një enigmë të këtillë, me kufizimet dhe vështirësitë që lindin pashmangshëm si pasojë e pranisë, gjerësisë dhe thellësisë së saj. |