Qasja ndaj filozofisë islame kërkon në një mënyrë sa të domosdoshme, gjithë po aq edhe të pashmangshme, përvetësimin e një perspektivë metodologjike të ndryshme nga ajo e përvetësuar nga pjesa më e madhe e studiuesve perëndimorë, duke përfshirë këtu edhe të ashtuquajturit orientalistë; një perspektivë kjo e cila nënkupton, së pari dhe mbi të gjitha, flakjen tej të paradigmave dhe të klisheve perëndimorocentriste, tashmë të mirënjohura për dështimin e tyre, i cili sa vjen dhe po shfaqet gjithnjë edhe më i suksesshëm. Suksesi i këtij dështimi vjen, më së pari, si një kërkesë dhe sfidë e parashtruar nga zhvillimet e kohëve tona globalizuese, të cilat më në fund duket se po mëtojnë të shërohen një herë e mirë nga patologjitë izmatiko-azmatike që shfaqeshin vepruese deri edhe përpara tre apo katër dhjetëvjeçarëve që lamë pas. Në këtë drejtim, paradigmat perëndimorocentriste në lidhje me “pronësinë” e Lógos-it dhe Philosophìa-s, janë ndër më të parat, dhe ndër më kryesoret, prej të cilave lipset të shprangosemi |