Myslimanët e përvetësuan termin “filozofi” nga greqishtja e vjetër, e arabizuan dhe e pasuruan në kuptimësinë përkatëse me ngjyresa të tjera kuptimore, kryesisht me burim lindor. Sipas përvetësimit dhe ngjyresave në fjalë, termi “filozofi” filloi që të shenjonte “shkencën intelektive”, apo “njohjen teoretike dhe njohjen racionale”. Në këtë mënyrë, termi “filozofi” filloi të mos shenjonte më një disiplinë të veçantë. Përkundrazi, në botën islame filloi që të përdorej për të shenjuar një kategori të veçantë njohjeje dhe njohurish, duke e dalluar nga pjesa tjetër e njohjeve dhe njohurive; më konkretisht, nga njohja dhe njohuritë e shkencës së përcjellë nga, apo të mbështetur tek zbulesa hyjnore dhe tradita, përfshirë edhe traditën profetike. Kjo njohje e fundit përmblidhte në vetvete, gramatikën, sintaksën, leksikografinë, gojëtarinë, prozodinë, retorikën, semantikën, hermeneutikën, jurisprudencën, si edhe metodologjinë dhe logjikën e jurisprudencës. Termi “faylasuf”, ndërkaq, me tërë ndërlikjet e gjera semantike që përftoi, filloi që të shenjonte një njeri që ishte ekspert në të gjithë fushat, degët dhe domenet e shkencave teoretike dhe racionale, duke përfshirë në vetvete edhe teologjinë, matematikën, filozofinë e natyrës, politikën, etikën dhe ekonominë |