Myslimanët e huazuan termin “filozofi” nga helenët. Ata i dhanë këtij termi një formë në arabisht, sikundërse edhe një nuancë lindore, duke e përdorur atë për të shenjuar njohjen e qashtër racionale. Në botën islame, termi “filozofi” nuk shenjonte kurrsesi një shkencë, apo një disiplinë të veçantë; përkundrazi, ai përmblidhte në vetvete dhe shprehte të gjitha shkencat racionale, si të përkundërta me shkencat e përcjella, të tilla si sintaksa, retorika, stilistika etj. Falë këtij kuptimi të përgjithshëm dhe përgjithësues, në botën islame të qenit “filozof” ishte një cilësi e cila i brendashkruhej vetëm atyre njerëzve që kishin njohuri të thella në të gjithë shkencat racionale të kohës, duke përfshirë shkencat teologjike, ato të matematikës, shkencat natyrore, shkencat politike, shkencat morale dhe ato ekonomike. Pikërisht kjo është edhe arsyeja se përse në botën islame pohohej shpeshherë se “cilido që është filozof, shndërrohet në një botë dijeje dhe njohjeje, shkimtazi dhe ngjashëm me botën objektive” |