Në fenë islame besimi nuk është kurrë një herë i verbër. Pavarësisht se në Islam besimi në botën e padukshme është po aq i rëndësishëm sa ç’është edhe tek besimet dhe fetë e tjera, sërish mbërrin një pikë kur qenia njerëzore, tashmë shpirtërisht e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme, e kapërcen paqësisht rrafshin e besimit të thjeshtë. Kur besimtari mbërrin në një pikë të këtillë, është më tepër sesa thjesht besimtar, për shkak se ndërgjegjja dhe vetëdija e tij shpirtërore ka arritur tashmë të depërtojë thellë në mjegullnajën e dendur të botës së padukshme, duke përvetësuar kësisoj njohjen e natyrës së vërtetë të gjithë sa është, të gjithë sa ekziston. Këtë përparim evolutiv nga rrafshi i besimit tek rrafshi i njohjes, Kur’ani e paraqet si një lloj metamorfoze të brendësishme, brenda së cilës besimi (iman) shndërrohet në siguri (yaqin). Në Kur’an, kjo siguri jepet e shprehur përmes tre llojeve të njohjes së Allahut, të trajtuara gjerësisht dhe thellësisht nga filozofët, mistikët, teologët, dhe juristët e asaj periudhe që në historinë islame cilësohet si “klasike |