Shpeshherë, dhe për një kohë mjaft të gjatë, për arsye tashmë të njohura të një shovinizmi të pastër kulturor dhe botëkuptimor, siç do ta cilësonte Karl Otto Appel-i, historianët dhe studiuesit e historisë së filozofisë perëndimore janë përpjekur (madje, në jo pak raste, me këmbëngulje të spikatur), që t’i mëshojnë shumë më tepër kontributit të filozofisë klasike greke dhe asaj të periudhës helenike në filozofinë islame, sesa anasjelltas. Madje, në disa raste, nuk ka munguar aspak përpjekja për t’i anashkaluar kontributet e vyera që filozofia islame i solli filozofisë perëndimore, mend si të bëhej fjalë për një ndikim të njëanshëm dhe të njëkahshëm. Porse kontributet e filozofisë islame janë të atilla, saqë çdo ndrydhje kulturore apo botëkuptimore, politike apo ideologjike, sado e theksuar qoftë, e ka tejet të vështirë, për të mos thënë të pamundur, që t’i fashisë |