Për tërë ato qytetërime që ruajnë të pastër dhe të pacenuar në vetvete natyrën dhe prirjet tradicionaliste, intuita metafizike është burim i gjithçkaje; e shprehur me fjalë të tjera, është pamësia botëkuptimore qashtërsisht metafizike ajo që përmbledh në vetvete gjithë sa është dhe shpërfaqet thelbësore, ndërkohë që gjithçka tjetër përtej saj nuk shpërfaqet përpos se fryt rrjedhojash apo trajtësim zbatimesh të saj në domenet e ndryshme të tërë sa njihet si realitetit lëndor. E njëjta gjë shpërfaqet mjaft dukshëm edhe në vetë institucionet shoqërore, madje, po e njëjta gjë vlen edhe për shkencat, domethënë, për njohjet që boshtohen rreth domenit të gjithë sa shpërfaqet si, dhe është pjesë e relatives, të cilat, në gjirin e qytetërimeve në fjalë, perceptohen si ndërvarësi të thjeshta, thuajse si një lloj zgjatimi apo feksje e njohjes së tërësishme, e cila ngërthen në vetvete parimet themelore dhe shkakësitë parake. Prej gjithë sa më sipër, besojmë se del mjaft qartas se si gjithçka ndjek hap pas hapi dhe pashmangshmërisht një hierarki të mirë përcaktuar: gjithë sa shpërfaqet relative, nuk konceptohet aspak si e paqenësishme, çka do të ishte me të vërtetë absurde; përkundrazi, asaj i kushtohet vëmendja që meriton dhe vendoset në vendin që i takon, i cili nuk mund të jetë përpos se dytësor dhe nënrenditës/ndërvarësor. Sakaq, në rrafshin e gjithë sa shpërfaqet relative ekzistojnë një varg nivelesh të ndryshme, në varësi të largësisë që gjërat shfaqin nga domeni i parimeve themelore dhe shkakësive parake. Kështu, përsa i përket vetë shkencave, ekzistojnë dy konceptime rrënjësisht të ndryshme, madje, krejtësisht të papajtueshme me njëri-tjetrin, të cilat mund t’i emërtojmë përkatësisht konceptimi tradicionalist dhe konceptimi modern. |