| Edukimi i fëmijës është detyrë jo vetëm prindërore, por edhe fetare. Në besimin islam, një ide të tillë e ndeshim të shprehur qartazi qoftë në Kur’anin Famëlartë, qoftë në hadithet profetike. Ndër ndalesat që ndeshim tek Surja En’am, Allahu i Lartësuar i urdhëron prindërit që “të mos vrasin bijtë e tyre”, në kuptimin që të mos bëhen shkaktarë apo përgjegjës në një mënyrë apo tjetrën për dëmtimin apo prishjen e karakterit të tyre (Kur’an, 6: 151). Po ashtu, tek hadithet profetike vërejmë vazhdimisht dhe pa asnjë vështirësi rëndësinë që Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) u jep fëmijëve (Bukhari, VIII, 199), si dhe vëmendjen që u kushton edukimit të tyre. Në një hadith, Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) pohon se nëse një njeri ka një vajzë dhe e edukon atë siç duhet, “do të shpëtojë nga zjarri”, në kuptimin që Allahu i Madhëruar do të tregohet mëshirëplotë me të; në një hadith tjetër, Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) pohon se “Në qoftë se një njeri ka bijë, apo vëllezër dhe motra më të vegjël, i edukon siç duhet dhe përkujdeset për nevojat e tyre, do të hyjë në Xhenet” (Ahmad, 10991). |